Rada Trajkoviq ngrit kallëzim penal ndaj Vuçiqit e Gjuriqit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Rada Trajkoviq ngrit kallëzim penal ndaj Vuçiqit e Gjuriqit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane për Kosovën, Rada Trajkoviq, ka ngritur kallëzim penal ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe drejtorit të ashtuquajturës Zyrë në Qeverinë e Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq.

Siç raporton FoNet, në kallëzimin penal thuhet se Vuçiqi dhe Gjuriqi kanë kryer vepër penale të rrezikimit të sigurisë, kurse Gjuriqi edhe veprën penale “shkelje e fshehtësisë së procedurës”.

Vuçiqi, thuhet aty, ka deklaruar se “historia e bashkimit të veriut dhe jugut të Mitrovicës është edhe një përpjekje e shqiptarëve për të hyrë në veri të “krahinës” dhe të sundojnë me veriun e Kosovës, për çfarë po i ndihmon edhe Rada Trajkoviq me dëshminë e saj për vrasjen e Oliver Ivanoviqit..

Kujtojmë se Trajkoviq, disa herë kishte thënë se ishte pikërisht Vuçiqi ai i cili po pengon hetimin për vrasjen e Ivanoviqit.

Ndërkaq, në kallëzimin penal, gjithashtu, thuhet se Gjuriqi “më 22 prill, mes tjerash, theksoi se Rada Trajkovic është vetëm njëra nga pjesëmarrësit e një fushatë të organizuar për rrënimin e reputacionit të shtetit (Serbisë) dhe institucioneve tjera”.

Në kallëzimin penal, gjithashtu, thuhet se Vuçiqi e Gjuriqi pa u bazuar askund dhe rrejshëm akuzojnë Trajkoviqin se është tradhtare e popullit serb, bashkëpunëtore e armiqve të shtetit dhe popullit dhe se punon për shërbimet e huaja të inteligjencës.