![Rafet Rama kërkon votën e qytetarëve: Pas 6 tetorit do të dalim faqebardhë](https://insajderi.com/wp-content/uploads/2019/09/rafet-ramaa-730x440.png)
Rafet Rama, është duke kandiduar në zgjedhjet e 6 tetorit për deputet në Kuvendin e Kosovës, së bashku me 109 kandidatë tjerë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Rama i cili është nga Skenderaj edhe para tre vitesh ishte deputet në Kuvendin e Kosovës, po kërkon sërish besimin e qytetarëve. Për simpatizant të tij që dëshirojnë ta shohin Ramën sërish në Parlamentin e Kosovës duhet votuar numrin 64.
E në ditën e parë të fushatës zgjedhore, Rama ka deklaruar se pas 6 tetorit do të dalin faqebardhë në fitoren e madhe të PDK-së.
“Ditën e parë të fushatës zgjedhore të PDK-së, zyrtarisht e filluam nga qyteti i Mitrovicës, në vendlindjen e Kryeministrit të ardhshëm të Republikës së Kosovës z. Kadri Veseli. Nga sot, e deri më 6 tetor në mbrëmje, fryma e fitores së PDK-së nga Mitrovica do të shpërndahet në tërë Kosovën. Së bashku, dalshim faqebardhë në fitoren e madhe”, ka shkruar Rama.
Por kush është Rafet Rama?
Rafet Rama, është i lindur më 5 dhjetor të vitit 1971 në fshatin Prekaz të Skenderajt. Është i martuar, jeton në Prishtinë me bashkëshorten dhe djalin.
Rama, ka qenë oficer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Ka studiuar Menaxhim dhe Biznes në Universitetin për Biznes në Prishtinë. Gjithashtu, ka vijuar shumë trajnime specializimi, ku ndër to edhe atë për Reformat e Sektorit të Sigurisë dhe Qeverisjes në Gjenevë.
Gjatë viteve të ’90-ta, Rama ka qenë Komandant Batalioni në Brigadën 114 ‘Fehmi Lladrovci’ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga viti 1999 deri në vitin 2000, ka qenë këshilltar për Siguri në Ministrinë e Rendit, në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës dhe nga viti 2000 deri në vitin 2003, ka qenë zyrtar për trajnime në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës. /Insajderi.com