Kosova ka liruar masat, si pasojë numri i personave të infektuar me COVID-19 është rritur. Një rritje e lehtë ishte e pritshme, por nëse ajo ndodhë pakontrollueshëm, atëherë masat mund të rikthehen. Duhet ende kujdes i shtuar, ose mbyllemi përsëri.

Nëse edhe në ditët në vazhdim do të ketë rritje të madhe të personave që infektohen me COVID-19, njëjtë siç pati gjatë ditëve të vikendit, atëherë mbyllja e serishme do të jetë opsion real, ka tërhequr vërejtjen mikrobiologu Lulzim Raka, përmes një postimi në Facebook, njofton Insajderi.
“Nëse rritja e numrit të rasteve të reja shkon paralelisht me numër të madh të rasteve që kërkojnë hospitalizim dhe kujdes intensiv, atëherë mbyllja e serishme është opsion real”, shkruan Raka.
Kosova ka arritur ta menaxhojë mirë situatën me Coronavirus. Ka qenë më mirë edhe se vendet e rajonit për nga numri i vogël i rasteve të infektimit dhe vdekjeve, por dy ditët e fundit, pasi u liruan masat numri i të infektuarve është shtuar ndjeshëm.
Vetëm dje, e diel, nga testimet e Institutit rezultuan 40 raste pozitive.
Kjo rritje është e pritshëm shkruan Raka, sepse “numri i rasteve do të jetë në korrelacion me zbatimin e masave parandaluese nga secili qytetar i Kosovës”.
“Virusi është ende këndej pari dhe do të shfrytëzojë çdo pakujdesi tonën”.
Raka përsëritë se këshillat për distancën fizike, mbajtjen e higjienës së duarve dhe përdorimin e dorashkave e maskës vlejnë ende njëjtë, si në kohën kur kishte gjendje emergjente shëndetësore./Insajderi.com