Rakiq: KFOR-i nuk do t’i lejojë Kurtin e Osmanin të shkojnë përsëri në veri

Rakiq: KFOR-i nuk do t’i lejojë Kurtin e Osmanin të shkojnë përsëri në veri

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se beson që KFOR-i në do t’i ndalojë vizitat e politikanëve kosovarë në veri, transmeton Insajderi.

Rakiq, që është edhe zëvendëskryeministër në detyrë i Kosovës, e ka quajtur provokim vizitën e presidentes në detyrë, Vjosa Osmani dhe kandidatit për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti në Mitrovicën e Veriut.

“Një provokim si ai në Mitrovicën e Veriut, gjatë ardhjes së paparalajmëruar të Kurtit dhe Osmanit, më shqetëson mua si dhe qytetarët. Unë besoj se KFOR-i nuk do të lejojë që situata të tilla të ndodhin përsëri”, tha Rakiq pë Radio Televizionin e Serbisë.

Të shtunën kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, dhe kandidatja për presidente nga kjo listë, Vjosa Osmani, janë përballur me fyerje nga serbët në Mitrovicën e Veriut, pas një tubimi që kishin mbajtur atje. Dy krerët e kësaj liste janë përballur me dhjetëra qytetarë që brohoritnin se “Këtu është Serbi”. /Insajderi.com