Goran Rakiq, ministër në Qeverinë e Kosovës njëherësh edhe kryetari i Listës Serbe, para takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq – ka thënë se nuk durojnë më, pasi sipas tij “duan të iu marrin edhe ajrin.
Reagimi i Goran Rakiq vjen pasi Policia e Kosovës zhvilloi aksion në nivel vendi përfshirë edhe në Veriun e Mitrovicës kundër kontrabandës me mallra.
Por, mediat serbe kanë shkruar se “ka edhe serbë të lënduar”, duke aluduar se “policia përdori dhunë kundër tyre”.
Pas këtyre ngjarjeve, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka ftuar takim urgjent me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë.
“Nuk mund të durojmë më, ka mbetur vetëm ajrin të na e marrin, kjo ka qenë si Nata e Kristalit për ne, ky takim me Vuçiqit është më i rëndësishmi, është derdhur gjak serb mbi xhamat e thyer”, ka thënë Rakiq.
“Presidenti i Serbisë është nisur për në Rashkë, dhe edhe ne do të shkojmë. Do të shkojmë të gjithë, po qe nevoja edhe 15 mijë ose 20 mijë njerëz do të vijnë”, tha ndër të tjera ministri i Qeverisë së Kosovës.
Rakiq beson në ndihmën e Vuçiqit, pasi thotë se “janë duke u rrezikuar”.
Ndryshe, gjatë ditës ka reaguar edhe Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Ai ka kërkuar që të ndalen “incidentet e dhunshme” e çështjen të adresohen në dialogun e Brukselit. /Insajderi.com