Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka reaguar pas vizitës në veri të vendit të zhvilluar nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani dhe Albin Kurtit – lider i Lëvizjes Vetëvendosje, transmeton Insajderi.
Rakiq thotë se Osmani dhe Kurti dje në veri kanë sjellë persona të armatosur “deri në dhëmbë” dhe disa prej tyre mund të shiheshin edhe me simbole të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këto deklarata Rakiq i ka dhënë për televizionin serb ‘TV Prva’, duke shtuar se justifikimi i tyre se erdhën në atë pjesë për fushatë nuk qëndron.
“Ata në Mitrovicë të Veriut sollën njerëz të armatosur deri në dhëmbë, ku te disa prej tyre ishin të dukshme shenja të UÇK-së. Justifikimi i tyre se erdhën për shkak të fushatës nuk qëndron, sepse fushata ende nuk ka filluar”, ka thënë Rakiq.
Ai poashtu është shprehur se nuk kishte konflikte fizike dhe gjithçka kaloi vetëm me fyerje verbale.
Ndryshe, Osmani e Kurti janë fyer dje gjatë vizitës në veri. Ata kanë vizituar minierën e Trepçës në veri. /Insajderi.com