Goran Rakiq është rizgjedhur kryetari i Listës Serbe, ndërsa nënkryetar Milan Radoiçiq, i dyshuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Nënkryetarë të tjerë u zgjodhën edhe Igor Simiq dhe Dalibor Jevtiq, sipas një deklarate të lëshuar për media nga Lista Serbe.
Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, parti kjo udhëheqëse e serbëve të Kosovës, si dhe afarist, bashkë më një afarist tjetër nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, ndërlidhen me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Në mesin e të dyshuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit përmenden edhe Zheljko Bojiq (shef i operativës së Policisë së Kosovës për rajonin e veriut), Milan Radoiçiq (afarist) dhe Zvonko Veselinoviq (afarist).
Ivanoviq ka qenë lider i subjektit opozitar Iniciativa Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”.
Është vrarë para selisë së këtij subjekti në Mitrovicën e Veriut, nga të shtënat prej revoles, në janar të vitit 2018./Insajderi.com