fbpx

“Rama 2”, shkurtim i ndjeshëm i Ministrive

“Rama 2”, shkurtim i ndjeshëm i Ministrive

Qeveria e re e kryeministrit Edi Rama do të ketë një bazë të gjerë bashkëpunimi me qytetarët por pak kabinete ministrore.

Në shtator të vitit 2013, kryeministri Rama vendosi të shtojë numrin e Ministrive në 19, ku së bashku me zv/kryeministrin dhe kryeministrin, kabineti qeveritar përbëhej nga 21 qeveritarë.

Pas fitores së zgjedhjeve të vetëm në 25 qershor, pasi premtoi reformë të thellë në administratë, Kryeministri Rama me gjasë do të shkurtojë ndjeshëm kabinetin qeveritar.

“Ora News” raporton se projekti për të lënë vetëm 10 Ministri në total është më i mundshmi, që do të thotë shkurtim me 50% të Ministrive aktuale, duke i dhënë më shumë kompetenca dhe përgjegjësi Ministrive të ndryshme.

Ministritë që nuk do të ndryshojnë janë Ministria e Brendshme ku nuk është fshehur preferenca e kryeministrit për Fatmir Xhafaj si ministër të saj, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe ministria e Mbrojtjes.

Në kabinetin e ri qeveritar, zëvendës/kryeministri i ardhshëm projektohet të marrë edhe një portofol.

Pra në kabinetin Rama 2, zëvendës/kryeministri do të ketë edhe një post tjetër ministror ku më i mundshmi është Ministria e Bujqësisë.

Ministrisë së Arsimit gjithashtu mund t’i shtohen kompetencat duke përfshirë edhe kulturën në të. Ndërkohë që e mundshme është edhe një bashkim i Ministrisë së Financave me Ministrinë e Ekonomisë.

Gjatë fushatës, Kryeministri tha se rilindja urbane tashmë do të shtrihet në zonat rurale dhe për këtë pritet që Ministria e Zhvillimit Urban të ndryshojë ose t’i bashkohet Ministrisë së Transporteve dhe Inovacionit.

Në kabinetin e ri qeveritar pritet të mos jenë më Ministritë pa portofol të marrëdhënieve me Parlamentin dhe Ministria e Pushtetit vendor.

Kryeministri gjithashtu ka paralajmëruar edhe shkrirjen e disa Agjencive të mëdha dhe bashkimin e tyre në disa superagjenci ku do të përqendrohen shërbimet.

ALUIZNI dhe Zyra e Hipotekave pritet që të bashkohen në një agjenci të vetme ndërkohë që duhet parë nëse do të krijohet një Ministri e re e cila do t’i koordinojë apo këto do t’i kalojnë nën varësi Ministrisë së drejtësisë.

Kabineti i ri qeveritar do të bëhet publik në gjysmën e dytë të gushtit, atëherë kur edhe raportet nga sugjerimet e qytetarëve të jenë përpiluar.

Megjithatë asgjë nuk është e sigurt pasi Ministritë dhe Ministrat e rinj janë ende në kokën e kryeministrit Rama. /OraNews