Rama: Ballkani i Hapur është vendosur dhe do të bëhet, të gjithë do të vijnë herët a vonë

Rama: Ballkani i Hapur është vendosur dhe do të bëhet, të gjithë do të vijnë herët a vonë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se shtetet që ende nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e “Ballkanit të Hapur”, do t’i bashkohen herët ose vonë, përcjell Insajderi.com.

Në një konferencë për media me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Rama deklaroi se “kush vjen më vonë, thjesht i humbet kohë vendit dhe popullit të vet”.

“Ballkani i Hapur është vendosur dhe do të bëhet, dhe çdo vit e më shumë do të provohet që është gjëja e duhur. Ballkani i Hapur do të jetë patjetër hapësira ku do të vijnë, njëri pak më shpejt, tjetri pak më vonë. Dhe kush vjen më vonë, thjesht i humbet kohë vendit dhe popullit të vet. Kaq e thjeshtë është kjo”, tha Rama.

Edi Rama në konferencë për media.

Sipas tij, kjo nismë është një interes strategjik dhe se është zbatim i Procesit të Berlinit.

“Ballkani i Hapur është një interes strategjik dhe është mekanizmi që bën Procesin e Berlinit. Për çdo projekt të BE-së ndërtohet një entitet që quhet njësia e zbatimit të projektit. E pra, Ballkani i Hapur është njësia e zbatimit të projektit të Procesit të Berlinit”, shtoi ai.

Lidhur me këtë çështje, kryeministri kosovar, Albin Kurti, tha se Kosova nuk merr pjesë në një nismë së bashku me Serbinë.

Kurti kishte deklaruar se emri “Ballkan i Hapur” nënkupton hapje ndaj ndikimeve ruse dhe kineze.

Kurse, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur të rrezikshme iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, duke thënë se e vonon integrimin evropian të rajonit, teksa shtoi se Procesi i Berlinit është zgjidhja e vetme dhe e duhur për avancimin e rajonit.

Kosova ka refuzuar që të jetë pjesë e “Ballkanit të Hapur”, emri i së cilës iu ndryshua muajin e kaluar pasi quhej “Minishengeni”./Insajderi.com