Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Bashkimi Evropian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor për “hir të sigurisë së saj”, përcjell Insajderi.com.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Merkur”, Rama thotë se nëse Ballkani Perëndimor lihet në një “portë të hapur” për radikalizmin dhe terrorizmin, kjo do të ishte një “çmenduri nga ana e BE-së”.
“BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor për hir të sigurisë së vet. Nuk ka kuptim që të ketë kufi të brendshëm me ne. Dhe nuk ka aspak kuptim që ta lëshojë rajonin tonën nën ndikimin e të tjerëve”, ka thënë Rama.
Tutje, i pyetur se a ka mundësi të bashkohen Kosova me Shqipërinë, Rama tha se kjo ka më shumë gjasë të ndodh jashtë BE-së, sesa brenda saj.
“Gazeta Merkur: Edhe njëherë: Tensionet në rajon po shtohen. Para pak kohësh Serbia vendosi mjete të mbinduara në kufirin me Kosovën… Rama: Por kjo nuk ka të krahasuar me tensionet e kohëve të mëparshme. Madje kjo lidhet edhe me faktin që kundërshtarët e dikurshëm sot duan të anëtarësohen të gjithë së bashku në BE. Konfliktet ushtarake lindin kur shtetet janë të izoluara e jo kur janë në një bashkësi. Kujtoni zhvillimet pozitive që sollën marrëdhëniet franko-gjermane apo dhe rastin e Irlandës. Rreziku që BE-ja të importojë konflikt brenda shtëpisë është i vogël.
Gazeta Merkur: Në rajon disa kanë frikë se ju doni të bashkoheni me Kosovën për të krijuar Shqipërinë e Madhe. Rama: Lojëra të tilla mendimesh kanë më shumë gjasa jashtë se brenda BE-së”./Insajderi.com