Rama: Çfarë do ambasadori rus në kufi me Kosovën? Ky është teatër i rrezikshëm

Rama: Çfarë do ambasadori rus në kufi me Kosovën? Ky është teatër i rrezikshëm

Kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, është deklaruar rreth vizitës së ambasadorit rus në Serbi, në pikëkalimin kufitar të Kosovës në Jarinje, për çka thotë se nuk është asgjë tjetër përveçse një teatër i rrezikshëm.

Pas takimit me homologun nga Kosova, Albin Kurti në Prishtinë, Rama tha para mediave: “Çka do ambasadori rus, mund të ma thoni?”.

“Ne e mbështesim dialogun 100%. Çka do ambasadori rus, kjo është njëjtë sikur ambasadori amerikan të shkonte në kufi dhe të shikonte se çfarë po bëjnë njësitet speciale. Ky është teatër, madje teatër i rrezikshëm”, tha Rama.

Tutje, gjatë deklarimit të tij pas takimit të mbyllur me Kurtin, Rama konfirmoi qëndrimin e tij për Ballkanin e Hapur.

“Kam pasur shumë mesazhe edhe të drejtpërdrejta edhe përmes rrjeteve sociale këto ditë për shkak të situatës së krijuar nga Kosova, ku pavarësisht larmisë së toneve dhe të ngjyrimeve, një ishte po tani a je i bindur që nuk bëhet ballkani i hapur me Serbinë? Dhe përgjigja e ime është se tani jam më i bindur se që isha që Ballkani i Hapur është rruga jonë”, ka thënë ai.

“Dhe kur them rruga jonë, them rruga jonë e përbashkët, për të mirën tonë të përbashkët, dhe ka një dallim sipas meje, në mes të nacionalizmit dhe patriotizmit. Nacionalizmi do të thotë të duash ta shohësh tjetrin keq, patriotizmi do të thotë të duash ta shohësh vetën mirë”, tha më tej Rama.

Ai shtoi se në këtë pikë nuk dakordohet me Kurtin, por sipas tij kjo është e natyrës politike dhe duhet të trajtohet si e tillë.

“Natyrisht se kemi një mosdakordësi në këtë pikë me Albinin, dhe është e rëndësishme që ta kuptojnë të gjithë se kjo është mosdakordësi e natyrës politike dhe ne duhet ta trajtojmë si të tillë, dhe për sa ju mund të shikoni dhe sa ju nuk shikoni, marrëdhëniet tona nuk ndikohen në shëndetin e tyre, na fakti se kemi një mosdakordësi të kësaj natyre”, tha kryeministri Rama. /Insajderi.com