Rama: Debati mund të bëhet edhe me Kurtin, pasi Vitia s’po merret me këtë çështje

Rama: Debati mund të bëhet edhe me Kurtin, pasi Vitia s’po merret me këtë çështje

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, derisa tha se një debat midis tij dhe kandidatëve të tjerë për kryeqytetin është i rëndësishëm, është deklaruar rreth mospjesëmarrjes së Arben Vitisë nga Lëvizja Vetëvendosje nëpër debate zgjedhore, transmeton Insajderi.com.

Rama thotë se duke qenë se Arben Vitia po refuzon të marrë pjesë në debate për kryeqytetin, mund të vijë në vend të tij kryeministri Albin Kurti, i cili është edhe kryetar i partisë nga e cila vjen Vitia.

Kështu u shpreh ai, pasi mendon se Kurti po bën fushatë për Vitinë dhe jo ky i fundit për vete.

“Duhet të kemi debat e kam thënë prej fillimit, duhet të ketë debat me kandidatë për kryetarë të komunave, duhet të jetë debati për idetë, për programin, për të mirën e qytetarit të Prishtinës”, tha Rama në ‘Rubikon’ të Klan Kosovës.

“Është e pakuptimtë të mos ketë debat për diçka të rëndësishme, është jo seriozitet, është nënçmim i qytetarit nëse nuk ndodhë debati i gjithë kandidatëve këtu, duhet të ndodhë dhe duhet të bëjmë këtë”, tha Rama.

“Debati (pa Arben Vitinë) mund të bëhet edhe me Kurtin, sepse ai është duke u marrë në vend të Vitisë. Më duket se ai po merret më shumë me këtë çështje”, u shpreh tutje ai. /Insajderi.com