Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të mbajë sot fjalim në Këshillin e Evropës, ku do të kërkojë rishikimin e Rezolutës 1782 për raportin e Dick Marty, dhe të shpallë të pabazuara akuzat e tij për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Rama në një postim në Facebook ka paralajmëruar fjalimin e tij.
“Kur bota kthehet përmbys dhe viktimat kthehen në fajtorë, atëherë çdo gjë është e mundur… Nesër fjala ime në Këshillin e Evropës”.
Rama pritet të prezantojë para Këshillit të Evropës një rezolutë të Shqipërisë, që kërkon që akuzat e raportit të Martyt të konsiderohen “të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte”.
Kjo rezolutë u miratua në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik – me 125 vota pro.
Gjatë asaj seance, Rama deklaroi se zëri i Shqipërisë do të dëgjohet në Strasburg, duke theksuar se raporti i senatorit zviceran solli një proces hetimesh, por sipas tij nuk solli drejtësi dhe i bëri viktima figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndryshe, më 18 korrik PS-ja ka deponuar në Kuvendin propozimin për këtë “Rezolutë” dhe tekstin e rezolutës me të cilën Shqipëria do të hedhë poshtë pretendimet për trafikim organesh nga raporti i Dick Marty-t.