Rama fton mjekët kosovarë që nga nesër t’i marrin dozat e vaksinës anti-COVID

Rama fton mjekët kosovarë që nga nesër t’i marrin dozat e vaksinës anti-COVID

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se nga 13 marsi do të lidhen kontaktet me autoritetet e Kosovës që mantelbardhët të shkojnë dhe të vaksinohen në Kukës, transmeton Insajderi.

Kështu u shpreh ai në Aerportin “Nënë Tereza”, ku priti 38 mijë e 400 doza të vaksinave nga ‘Astrazeneca’.

“Nesër do të nisim vaksinimin e mësuesve dhe pedagogëve. Do ta shtrijmë me shpejtësi në të gjithë territorin e vendit. Shkollat do të kthehen në pika vaksinimi. Presim së shpejti të vijë një sasi më e konsiderueshme. Nga kompania AstraZeneca do të marrim edhe 60 mijë doza të tjera në muajin prill”, deklaroi ai, raporton TCh.

“Ndërkohë që, jemi gati nga nesër të organizohemi me Kosovën për t’i dhënë mundësinë mjekëve dhe infermierëve të spitaleve Covid, që nga spitali i Prishtinës. që të vijnë dhe vaksinohen në Kukës. I presim me shumë kënaqësi që nesër dhe do të lidhemi me strukturat përkatëse. Do jetë e rëndësishme, që edhe në Kosovë të thyhet kjo pengese e tmerrshme e mungesës së dozës së parë”, u shpreh tutje i pari i ekzekutivit të Shqipërisë. /Insajderi.com