Rama: “Hoxton Academy”, mundësi e Shqipërisë për të hyrë në tregun e teknologjisë së lartë

Rama: “Hoxton Academy”, mundësi e Shqipërisë për të hyrë në tregun e teknologjisë së lartë

Ardhja e “Hoxton Academy”-s, kompanisë londineze të edukimi profesional në Shqipëri, përmes ICTSmedia dhe Twig është parë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si “një tjetër mundësi për të hyrë në tregun e teknologjisë së lartë”.

Rama është shprehur i lumtur në llogarinë e tij në Facebook, pasi “Hoxton Academy”, po sjell në Shqipëri metodën inovative të edukimit profesional në Teknologji.

Hoxton Academy, një projekt i nisur si fryt i një partneriteti të ngushtë mes Londrës, Tiranës dhe Prishtinës, nga ICTSmedia dhe Twig, fillon me 27 shtator dhe Rama shkruan se ky projekt “do t’iu mundësojë të rinjve të talentuar të fillojnë karrierën e tyre në teknologji si inxhinier software pas përfundimit të programit intensiv të trajnimit 6 mujor (me kohë të plotë)”.

Studentët që kalojnë filtrat e pranimit, do të përfitojnë mundësinë e studimit në Hoxton pa asnjë pagesë.

“Çdo bursë financohet plotësisht nga kompanitë teknologjike lokale duke i garantuar kontratë punësimi 2- vjeçare atyre që përfundojnë me sukses programin”, shkruan Rama .

Hoxton Academy ka një ekip instruktorësh të nivelit botëror nga Londra, të cilët në të kaluarën kanë trajnuar zhvillues për Facebook, Apple, Google, Microsoft, Spotify, Yoox, Luxxotica në një format të ngjashëm”.

Ndërtimi i gjeneratës së re të inxhinierëve të softuerit në Shqipëri është misioni i Hoxton Academy “duke ndryshuar jo vetëm jetën e dhjetëra të rinjve që do ti bashkohen në të ardhmen, por njëkohësisht të ndihmojë biznese e kompani të gjejnë e të ruajnë talente në këtë fushë”./Insajderi.com