Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka ftuar ish-kundërkandidatin e tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia, që t’i bashkohet ekipit të tij qeverisës, përcjell Insajderi.com.
Kështu ka bërë të ditur vetë Rama, i cili shtoi se tash e shtatë ditë ka pritur një përgjigje nga Vitia, të cilit i ka ofruar postin e drejtorit të Shëndetësisë.
Rama ka thënë se dëshiron që të krijojë një ekip me njerëz profesional, duke shtuar se ftesa për Vitinë është e sinqertë.
“100% e sinqertë. E kam thënë edhe gjatë kampanjës. E thashë edhe dje. Ideja është që të krijojmë nj ekip profesioniste me njerëz profesional që mund të dërgojnë çështjet përpara. Kjo është ekip profesionale jo politike. Punët që na presin duhet të jenë të shtyra nga njerëz profesionistë.
I kam kërkuar që të takohemi dhe të bëjmë bisedë por nuk kam marrë përgjigje. Para 7 ditëve. I kam kërkuar takim që të bisedoj se a ka ekip që mund të kryejnë punën në aspektin profesional dhe menaxherial. Duke marrë parasysh edhe zotin Vitia që të drejtojë drejtoratin e Shëndetësisë”, tha ai në T7.
Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, është zgjedhur kryetar i Komunës së Prishtinës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 14 nëntor, ku mori 51.07 për qind të votave.
Ndërkaq, Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje ka fituar 48.93 për qind të votave./Insajderi.com