Së bashku si komb

Rama: Jam në Kosovë në funksion të nevojës kombëtare – sot duhet të jemi të shqetësuar si komb

"Kush mendon se këtu bëhet fjalë për ç’kapjen e shteti është ose tepër naiv, ose tepër i verbuar nga mllefi".

Rama: Jam në Kosovë në funksion të nevojës kombëtare – sot duhet të jemi të shqetësuar si komb

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas takimeve të shumta që i ka pasur gjatë dy ditëve në vizitën e tij në Kosovë, ka mbajtur një konferencë për media, ku ka thënë që “kush fle shqip, si gjuhë të nënës që e ka, të mos e përdorë për të ndarë pjesëtarët e kësaj shoqërie, në patriotë e tradhtarë, apo në të ndershëm dhe hajdutë. Nuk është ky rasti”, njofton Insajderi.

Sipas Ramës sot duhet të jemi të shqetësuar si komb dhe se vizita e tij në Kosovë është pikërisht në funksion të nevojës kombëtare.

“Unë jam këtu në funksion të një nevoje kombëtare, për t’i dhënën mbështetje të plotë Kosovë dhe përfaqësuesve politik të saj në kushtet kur ka ndodhur diçka e rëndë”, deklaroi Rama.

“Historia e kësaj gjykate speciale të radhës nisi të shkruhet me një akt që abortoi një proces politik që lidhet me paqen”.

“Sigurisht që takimi në Shtëpinë e Bardhë përbën një moment të rëndësishëm edhe për zhvillim, një përpjekje me shumë stacione, por edhe një mundësi për ta çuar procesin në një nivel të ri, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të SHBA-ve”.

“Më vjen mirë të them që është privilegj të jesh në pozicionin që jam unë dhe të jepet mundësia të kontribuosh për atë çka ishte e është sot e gjithë ditën, vlera historike e luftës çlirimtarë të Kosovës”.

“Dua ta bëj të qartë se më vjen keq kur shoh në reagime të ndryshme dhe këtu flas për reagime edhe në nivelin qytetar se si helmi i jetës të përditshme politike ka penetruar në bazën e politikës kombëtare dhe ndikon që të mos-kuptohet, po të deformohet thelbi i shqetësimit që sot duhet të kemi si komb”.

“Ky nuk lidhet as me dy persona, as me karrierën e tyre politike dhe me të mirat apo të metat e tyre në kohë paqeje, nuk lidhet as me simpatitë bindjet, mbështetjen apo kundërshtitë politike, por lidhet me një prej vlerave më të rëndësishme që ka krijuar kombi shqiptar që është vlera e luftës për liri të Kosovës, pjesë e të cilës në mënyrën vendimtare është UÇK-ja”.

“Mendoj që ky është moment kur sigurisht kemi një krizë, një krizë të shkaktuar nga kjo fletërrufe, por kemi edhe një mundësi të madhe për të vënë në pah jo thjesht vlerat e luftës dhe edhe një herë tjetër të vërtetën elementare se Kosova ishte viktima jo agresori, por për të vënë në pah të gjithë vlerën e krijuar në këtë proces shtet-ndërtimi si shprehje e gatishmërisë për drejtësi nga vetë Kosova”, pohoi Rama, njofton Insajderi.