Rama në bisedë me Merkel: “Rreth 60 minuta mbi Planin e Madh të Investimeve të BE-së”

Rama në bisedë me Merkel: “Rreth 60 minuta mbi Planin e Madh të Investimeve të BE-së”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar – virtualisht – një bisedë me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, njofton Insajderi.

Bisedën me Merkel, Rama e ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Ai tregon se biseda ka zgjatuar rreth një orë dhe është koncentruar në “planin e madh të investimeve” që Rama thotë se BE-ja e ka ndërmend të bëjë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Biseduam pak më parë për rreth 60 minuta mbi Planin e Madh të Investimeve të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor dhe nxitjen e mëtejshme drejt Shengenit Rajonal; progresin e Shqipërisë pas vendimit për çeljen e negociatave dhe përpjekjet në vijim drejt Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE, si edhe kryesimin e suksesshëm të OSBE nga Shqipëria dhe sfidat deri në përmbylljen e mandatit tonë në dhjetor”, shkruan Rama në Facebook.

“Edhe njëherë si gjithnjë, kënaqësi e veçantë biseda me Kancelaren gjermane, një mike e shkëlqyer që e njeh, e kupton dhe e ndjek rajonin tonë e Shqipërinë gjithashtu, me detaje e vëmendje krejt të posaçme”./Insajderi.com