Rama: Në një referendum paqësor do të votoja pro bashkimit kombëtar, nuk e di kur do të ndodhë

Rama: Në një referendum paqësor do të votoja pro bashkimit kombëtar, nuk e di kur do të ndodhë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se në një referendum paqësor për bashkim kombëtar, do të votonte haptazi pro, përcjell Shqip.com.

Në një konferencë për media së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Rama tha se nuk e di se kur dhe si do të ndodhë ky referendum.

Edi Rama dhe Albin Kurti në konferencë për media.

“Nëse më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor për bashkim kombëtar, unë do të bëja një shkelje të ligjit për fshehtësinë e votës, do votoja hapur pro. Tani në rast se pyesni se a do ndodh kjo apo jo, meqë ju po më provokoni, do të ndodhi, por kur nuk e di, kur do ndodhi, si do ndodhi sot, por që kjo do ndodhi një ditë, unë them që po.

Atyre që mund ta marrin këtë dhe të dalin bërtasin për Shqipërinë e madhe, fallxhorët nuk gjykohen se është një fall, nëse unë do hidhja fall në këtë rast, po e hedh me imagjinatë se nuk shoh filxhan, kjo do ndodhi, por kur nuk e di”, tha tutje Rama.

Ndërkaq, në pyetjen e njëjtë, Kurti u shpreh se nuk mund të vendossen mbi procese të tilla historike e të përcaktohen data e mënyra.

“Mua më duket që ka më shumë një moskuptim se keqkuptim tek çështja e bashkimit të shqiptarëve. Ai nuk është një gjësend që e zgjedhim, është një intencë kolektive që na zgjedh ose përzgjedh neve, s’mund të vendosemi ne mbi procese të tilla historike e të përcaktojmë data e mënyra”, tha Kurti./Insajderi.com