Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u bë sërish temë e politikës në Kosovë pasi së fundmi nuk ngurroi të jap qëndrimet e veta për temat për të cilat nuk ekziston një qëndrim unanim në Kosovë. Kësisoj ai po përballet me një seri reagimesh të ashpra në lidhje me qëndrimin e tij për demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi.
Rama pas takimit që pati me kryeministrin Ramush Haradinaj, një nga kundërshtarët më të zëshëm të marrëveshjes mes Kosovës dhe Malit të Zi për shënjimin e vijës kufitare mes dy shteteve, ftoj Haraidajn që të tërhiqet nga qëndrimi i tij.
“Ndajmë shqetësimin tonë për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, proces i cili po krijon jo pak probleme me bashkësinë ndërkombëtare, e cila ka qenë dhe mbetet garanti kryesor i Kosovës. Kosova s’ka llogari të humb miq. Interesimi i Kosovës është zgjidhja e këtij problemi që është kthyer në ngërç për rrugën drejt BE-së. Haradinaj të largohet nga pozicioni opozitar, dhe nuk do të doja nga Mustafa që të mos e pranoj këtë marrëveshje që e përkrahte deri dje”, tha Rama.
Ndërsa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i tha kryeministrit se është në pritje të krijimit të një situate të re, e që më pas mund t’i drejtohet Malit të Zi për çështjen e demarkacionit.
Ai shtoi se Kosova është e interesuar që të forcojë marrëdhëniet me Malin e Zi.
“Tema e Shënjimit të kufirit Kosovë- Mali i Zi është në një situatë që Kosova po procedon ne përputhje me rregullativën e vet, në përputhje me obligimet që ka politike. Kur te kemi një situatë të re me siguri që do ti drejtohemi vendit fqinj, pra kur të kemi një situatë më të qartë të të gjeturave tona. Deri atëherë besoj të gjithë mund ta qojmë një porosi që interesimi ynë është që këto marrëdhënie të mira me Malin e Zi ti forcojmë”, tha Haradinaj.
Por reagimet nuk u ndalën me kaq. Reagoi deputeti dhe ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kurti ia ka kujtuar Ramës gjashtë marrëveshjet, memorandumin dhe shtatë detyrat konkrete që kishin dalë nga mbledhja e tretë e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës që u mbajt më 3 qershor të vitit 2016.
“Marrëveshjet ishin të fushave të rëndësishme për ndërtimin e politikave të përbashkëta, në ekonomi e tregti, në fushat e energjisë, infrastrukturës, arsimit, kulturës dhe mjedisit, etj. Afatizimi i detyrave i jepte ngjyrë konkrete atyre marrëveshjeve. Shumë prej detyrave konsiderohej se do të realizoheshin brenda dy muajve”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Por ku jemi sot, pas më shumë se një viti, me ato marrëveshje? Askush nuk është mbajtur përgjegjës për moszbatimin e afateve, e as për ngadalësimin deri në ngecje të marrëveshjeve e detyrave. Askush nuk është pushuar nga puna. Ndërkohë realiteti kërkon një dinamikë krejt tjetër: afatizime, përgjegjësi, moral e vullnet për punë”, ka shtuar ai.
Nuk mungoi reagimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndaj deklaratës së Kurtit.
“I dashur Albin! Faktet s’janë opinione dhe kufijtë nuk përcaktohen me opinione! Sa për tokën po ta kujtoj që unë nuk fal as det jo më tokë”, ka thënë Rama në një postim të tij në profilin zyrtar në Facebook. E ka shoqëruar postimin me një flamur kombëtar.
Por Rama u përballë me të tjera deklarata të tjera. Reagoi Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, nga Nisma për Kosovën.
Ai ka thënë se të gjithë, përfshirë presidentet dhe kryeministrat duhet ta dinë se shteti i Kosovës nuk është bërë dhe nuk do zhbëhet nga opinione dhe deklarata. Kësisoj ka thënë ai, nuk do të ndryshohen as kufijtë e Kosovës.
“Le ta dinë të gjithë, Presidentë e Kryeministra. Le ta dinë Presidentë a Kryeministra se shteti i Kosovës as nuk është bërë e as zhbëhet me deklarata e opinione. Gjithashtu duhet ta dinë, se as kufijtë e Kosovës nuk ndryshohen e as ricaktohen me deklarata e opinione”, ka shkruar Krasniqi.
Reagimet erdhën edhe nga disa deputetë të NISMA-s dhe të tjerëve, sikurse Bilall Sherifi dhe duket se reagimet do të vazhdojnë./Insajderi.com