Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar sot me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, njofton Insajderi.
Rama pas përfundimit të këtij takimi ka treguar se dita e sotme është përmbyllur me nënshkrimin e marrëveshjes për koordinimin e teknologjisë 5g mes SHBA-së dhe Shqipërisë.
“Me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, në një takim shumë miqësor e të dobishëm, që u mbyll me nënshkrimin e marrëveshjes për koordinimin e teknologjisë 5G mes ShBA dhe Shqipërisë”, ka shkruar Rama në llogarinë e tij në Facebook.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se për Shqipërinë është krenari që jetë në krah të SHBA-së dhe e konsideroi nënshkrimin e marrëveshjes si një moment të rëndësishëm.
“Për mua dhe ne në Shqipëri është një moment i rëndësishëm sepse siç besoj ju e dini kemi ndërmarrë këtë nismë nga ana jo qysh prej disa vitesh dhe u kemi kërkuar vendeve të tjera në rajon që të bëhen pjesë, dhe të gjithë së bashku të bëhemi pjesë për një korridor të sigurt komunikimi dhe ta vëmë atë në duar të qytetarëve dhe institucioneve shqiptare dhe të mos lejojmë që të kompromentohet nga aktorë të tjerë që ndonjëherë janë dashakeqës”, tha Rama.
Takimi midis Ramës dhe Blinken u mbajt të dielën nga ora 17:30 në Bruksel. /Insajderi.com