Rama paralajmëron largimin nga politika nëse s’merr gjysmën e mandateve në zgjedhje

Rama paralajmëron largimin nga politika nëse s’merr gjysmën e mandateve në zgjedhje

Kryeministri Shqipërisë, Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, ka premtuar se nëse forca e tij politike nuk merr numrin e mandative për të formuar e vetme qeverinë, do të largohet nga politika, transmeton Insajderi.

Siç deklaron Rama në një emision televiziv në Shqipëri, nuk do të pranojë që të bëjë marrëveshje me të tjerët.

“Nëse PS nuk merr shumicën (71 mandate) që mua bashkë me shqiptarët më duhet për ta çuar Shqipërinë në majën ku mund të ngjitet, por s’i ka mandatet për të qeverisur dhe duhet që të fillojë të bëjë një proces nga halli, hallin do ia delegoj dikujt tjetër. PS nuk do mbarojë nëse mbaron karriera ime. PS do të vazhdojë. Bashkëpunim nga halli unë s’jam më i gatshëm të bëj. Me shqiptarët bashkëpunoj nga pasioni, majën që e kam parë me sy hapur, e kam ëndërruar kur kam hyrë në këtë rrugë, do ta arrijmë. Unë besoj shumë tek ëndrrat me sy hapur. Por duan forcë karakteri dhe që ta ndash mendjen se mes të parës dhe të bërës është det i tërë në mes. Kjo është arsyeja sepse jam këtu. Mandati i tretë është për të çuar para këto punë. Për të vijuar këtë cikël”, ka thënë Rama, shkruan Lapsi.al.

Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë dhe për të formuar Qeverinë duhen 71 vota.

Në zgjedhjet e kaluara, Rama me PS-në arritën të fitojnë këto vota dhe të krijojnë qeverinë, ndërsa tani është në kërkim të mandatit të tretë për kryetar të Qeverisë.

Zgjedhjet në Shqipëri do të mbahen të dielën e 25 prillit. /Insajderi.com