Rama: Pas goditjeve nga tërmeti e pandemia dolëm më të fortë

Rama: Pas goditjeve nga tërmeti e pandemia dolëm më të fortë

Me rastin e festës së Vitit të Ri, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar të gjithë shqiptarët, njofton Insajderi.

Rama u shpreh se 2020 ishte viti më i vështirë, për shkak të pandemisë dhe tërmetit, duke shtuar se pas goditjeve, Shqipëria doli më e fortë.

“Po mbyllet edhe ky vit dhe si në asnjë vit tjetër në jetën tonë, festat e këtij viti po i kalojmë mbyllur herët në shtëpi. As mesnata e fishekzjarrëve nuk do të ndodhë këtë herë. Për ne shqiptarët, Coronavirusi ishte një kafshatë e pakapërdishme pas tërmetit të 26 nëntorit. Gjyshërit u kërcënuan në jetën e tyre, fëmijët e ndaluar në shkollimin e tyre. Mijëra prindër humbën punët e tyre. Ky vit ishte një nga ato lloj sfidash, kur i thonë rrëzojnë elefantë. Jam krenarë për bluzat e bardha sepse falë tyre dhe falë jush luftuam dhe po luftojmë dhe t’ia dalim më të fortë, qëndruam dhe i rezistuam goditjes së egër të tërmetit, sot shkollat e shembura po rilindin”.

“Po rilindim për ditë më të bukur dhe më të forta edhe shtëpitë e goditura nga tërmeti. Puna vazhdon çdo ditë dhe çdo natë deri kur të hapet dera e fundit për familjet e prekura nga tërmet. Beteja jonë vazhdon me sigurimin e vaksinës kundër armikut të padukshëm. Si kudo në botë, do të nisë me grupet më të rrezikuara, bluzat e bardha, mësuesit, punonjësit e policisë. Vaksina do të jetë falas dhe jo e detyrueshme. Kjo nuk luftë nuk do të mund të mbarojë në fund të vitit të ardhshëm”, tha Rama.

Ai u shpreh se vitin e ardhshëm, bizneset vogëla do ta nisin me zero taksa, ndërsa mjekët do të marrin paga më të larta.

“Ky vit e ka goditur fort ekonominë dhe punën. Por imagjinojeni vetëm për një çast sikur dy goditje të njëpasnjëshme të na kishin ndodhur 7 vjet më parë do të ishte e pamundur të përballonim pasojat e njërit dhe plagëve të tjetrit, por ne po i përballojmë. Ka shumë punë për të bërë por më besoni se falë karakterit dhe bashkimit të fuqive tonë të keqen e kemi lënë pas”, shtoi më tej, duke dhënë në fund një mesazh urimi për të gjithë shqiptarët: “Gëzuar Vitin e Ri, qoftë një vit sa më i mbarë dhe kjo dekadë që po fillon qoftë më e mbarë e historisë tonë”./Insajderi.com