Rama për Mini-Shengenin: S’mund të mbetemi peng i së shkuarës

Rama për Mini-Shengenin: S’mund të mbetemi peng i së shkuarës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se rajoni nuk duhet të mbetet peng i së kaluarës dhe vendet e Ballkanit duhet të mbështesin njëra-tjetrën duke u bërë pjesë e strategjisë për të lëvizur lirshëm, njofton Insajderi.

Gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik që po mbahet në Shkup për Bashkimin Rajonal, e ku pjesëmarrës janë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e përfaqësues të bizneseve të tre vendeve, Rama theksoi se shtete e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të presin që të futen në BE për të lëvizur lirshëm me njëri-tjetrin, por të bëhen pjesë e kësaj nisme strategjike.

Sipas Ramës, nuk duhet të qëndrohet mbyllur duke parë problemet e shteteve, por të ketë bashkëpunim për të zgjidhur çdo konflikt dhe për të rritur mirëqenien e qytetarëve.

“Këtë herë përkthyesi të mos jetë si herën tjetër që ma shkatërroi komplet mesazhin dhe uroj që sot të jetë një ditë e mirë për të gjithë ata që kanë ardhur jo vetëm nga Maqedonia, Mali i Zi, Kosova edhe nga Bosnja, edhe nga Kroacia, Sllovenia, Greqia. Mozaiku i pjesëmarrjes është përtej tre vendeve tona dhe besoj që është e mjaftueshme pamja e këtij mozaiku për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj nisme”, ka thënë ai,

“Kjo nismë është gjeja e duhur dhe jo vetëm është e duhur, pro ndryshe nga çfarë predikojnë disa, po edhe e vonuar. Ky rajon nuk mund të vijojë të mbetet peng i së shkuarës në asnjë aspekt dhe kush nuk e kupton akoma se sa të vegjël jemi të ndarë për të rritur ekonomitë tona, për të krijuar punë, për të hapur prespektivë, është i dënuar të jetojë në të shkuarën, ne duam të projektohemi në të ardhmen përmes një nisme që nuk shpik asgjë të re por sjell në rajon një shembull të plotë, atë të BE”, shtoi Rama. /Insajderi.com