Rama për reciprocitetin: “Fantazma gjeneralësh” po pretendojnë integritet për serbët e veriut, Kosova ka të drejtë dhe pikë

Rama për reciprocitetin: “Fantazma gjeneralësh” po pretendojnë integritet për serbët e veriut, Kosova ka të drejtë dhe pikë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se qëndrimi i Shqipërisë lidhur me masën e vendosur nga Qeveria e Kosovës për reciprocitetin e targave për veturat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, nuk ndryshon, madje shtoi se sot të gjithë janë dëshmitar “të manovrave teatrale të Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës”.

Ai madje i quajti “fantazma gjeneralësh”, ata të cilët po pretendojnë se po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë me vendosjen e ushtrisë në kufi me Kosovën.

“Nuk ka asnjë diskutim që në radhë të parë është Serbia që duhet ta njohë një realitet të pakthyeshëm dhe është për të ardhur keq që në vend të përparimit konkret të dialogut, sot jemi dëshmitar të manovrave teatrale të Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës”, tha Rama në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin kosovar, Albin Kurti.

“Ato manovra nuk mbrojnë në të vërtetë qytetarët serbë në veriun e Kosovës, si kundër pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar dhe nga disa fantazma gjeneralësh të ushtrisë së mundur të fushës së luftës më shumë se 20 vjet më parë që kanë dalë nga varri me pretendimin që po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë”, tha ai.

Rama shtoi se serbët e Kosovës jetojnë të pakërcënuar nga askush, madje “iu paguajnë edhe faturat nga Qeveria këtu si askush në Ballkan dhe në botë”.

“Aplikimi i reciprocitetit të targave të përkohshme, jo vetëm që është një normë elementare e të drejtës legjitime të shtetit të Kosovës, por edhe një marrëveshje e arritur me kohë mes të dyja qeverive”, tha ai duke rikujtuar edhe një herë që qëndrimi i Repoublikës së Shqipërisë mbetet i pandryshuar që nga momenti që u shfaq ky vendim.

“E drejta këtu është me Kosovën dhe pikë, nuk është me Serbinë”, tha ai.

“Tanimë që problemi është shtruar, duhet bërë kujdes që çuarja në Njësinë Speciale të Kosovës atje të mos kthehet në një problem midis Kosovës dhe miqve ndërkombëtar”, shtoi më tej Rama.

Rama po qëndron në Kosovë në vizitën e tij të parë zyrtare qëkur fitoi sërish një mandate tjetër në krye të Qeverisë shqiptare.

Pas takimit me homologun kosovar, Albin Kurti, ai pritet të takohet edhe me liderët e partive politike. /Insajderi.com