Kryeministri Edi Rama ka qenë paraditen e së shtunës në Kombinat, ku tërmeti ka pësuar dëmtime të shumta në disa pallate.
Ai ka shkëmbyer replika me disa qytetarë, të cilët, të stresuar nga situata e krijuar, nuk e kanë përmbajtur dot veten.
‘Si t’ja bëjmë, ku të emë, duam të emë”’, iu drejtua një banore, Ramës.
“Eja me mua, të të çoj te qendra sociale, dhe të vë unë ne gjumë, mos rrini nëpër makina se do ju punojë truri si makinë e prishur pastaj”, iu përgjigj Rama.
Ndërsa një tjetër grua, që i ishtë dëmtuar shtëpia njëkatëshe, iu ankua Ramës se si do t’ia bëjë tani.
“Po ti ç’do, ne jemi për pallatet këtu. Ti dhe unë katunari që i kemi shtëpitë njëkateshe, një vrap i kemi e dalim, edhe pse unë nuk lëviz fare nga krevati, le të bjerë tërmet. Ështe e shkruar kjo xhan, i ikën tërmetit e gjen te rruga, del aty, fap rrëshket te lëkura e portokallit”, tha Rama.
Një grua tjetër i kërkoi zgjidhje, duke iu ankuar se po rri jashtë me fëmijë të vegjël.
“Shko te qendra që është për këtë punë, pastaj do ta zgjidhim hap pas hapi. Ti do vish me mua tani, me gjithë vajzën, merre puthe atë dhe falendero Zotin, se 22 njerëz i futëm në dhe dje”, iu përgjigj Rama.
Por ajo iu ankua se nuk mund të shkojë me të, se është në punë.
“Me zor nuk të marr unë, unë te them eja me mua, për dore të çoj unë. Nëse nuk do, me zor nuk të marr”, i tha Rama.
Ndërsa banorët e tjerë, iu ankuan për banesat.
“Do me lini ta mbaroj këtë fjalë, se ka shumë më keq se ju tani? Aman ore se më doli shpirti, u çmenda, nuk kam më fuqi, na lini të bëjmë analizën me inxhinierët, bëjëe apo nuk bëjnë godinat. Lërini, rrofsh, secili do rrojë sa e ka të shkrujt, nuk e gjen nga tërmeti, e gjen te rruga”, tha Rama. /Tema