Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Përparim Rama, teksa ka folur për problemet me menaxhim në këtë komunë, ka treguar edhe momentin që ka marrë ftesën për të garuar në këto zgjedhje, transmeton Insajderi.com.
Sipas Ramës, Prishtina ka potencial të madh për zhvillim të mirëfilltë teksa zonat urbane dhe ato rurale duhet të trajtohen si organizëm, në mënyrë që të krijohen hapësira publike në kryeqytet.
“Është kënaqësi me qenë këtu në Prishtinë dhe për të garuar si shërbëtor i parë i kryeqytetit, kur kam marrë ftesën ka qenë një nder i madh dhe e kam ndier si obligim për arsye se kryeqyteti ka problematika të shumta të cilat kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, mirëpo është edhe nder i madh kur dikush të fton dhe beson se mundesh me bë një ndryshim pozitiv për të mirën e qytetit, për të mirën e banorëve të këtij qyteti dhe për këtë arsye jam ardhur këtu”, ka thënë Rama për EO.
“Prishtina ka një potencial të madh, Prishtina ka potencial për zhvillim të mirëfilltë në çdo aspekt, dhe unë Prishtinën e shoh që zona qendër, zona urbane dhe ato rurale duhet të trajtohen si një organizëm, duhet ta shohim komunën e Prishtinës si një tërësi dhe duhet t’i fuqizojmë fshatrat dhe të krijojmë hapësira publike në qendër të Prishtinës, duhet t’i kthejmë hapësirat publike qytetarit të Prishtinës, që ai të ndihet i sigurt në rrugë edhe prej qenve endacakë, mirëpo edhe prindërit me fëmijët e tyre të ecin shlirshëm nëpër rrugë dhe duhet që hierarkinë e cila për momentin ekziston në qendër të Prishtinës të ndryshojë në të mirë e qytetarit të Prishtinës”, shtoi ai.
Pretendenti për kryetar të kryeqytetit ka shpalosur idenë e tij për këtë vend. Ai thotë se me ekipin e tij të gjitha hapësirat publike do të transformohen në të mirën e qytetarëve, që Prishtina të shndërrohet me karakter unik në botë.
“Ka mënyra të ndryshme se si ne mundemi me krijua këtë hierarki ose me bë ndryshimin, për momentin ne e shohim të definuar si qendra e Prishtinës vetëm sheshin ‘Nëna Terezë’. Zona qendrore, rruga ‘Agim Ramadani’ që sillet te Xhamia e Llapit e shkon aty te Tulltorja kthehet mbrapa pas Pallatit të Rinisë, shkon te rrethi për Mitrovicë, pastaj tangjetohet me stacionin e autobusëve edhe vjen te Termokosi e prapë mandej te Ulpiana e vazhdon prapë te rruga ‘Agim Ramadani’, e gjithë kjo pjesë unë me ekipin tim e shohim si qendra e Prishtinës, ku kemi mundësi që ta transformojmë dhe ta bëjmë këtë ndryshim ku qytetari është i pari”.
“Të gjitha hapësirat publike të transformohen në të mirën e qytetarit, ku prindërit të ndihen të shlirshëm dhe të vrapojnë nëpër këto zona. Edhe të moshuarit tonë të kenë vende ku të ulen e të pushojnë, ku ndodh jeta edhe gjatë kohës së verës e gjithë kjo hapësirë të shndërrohet në një pjesë të festivaleve, të festave të ndryshme, të kemi edhe zona të mira për art e kulturë, dhe ta shndërrojmë Prishtinën me karakter unik në botë”, tha Rama. /Insajderi.com