Thirrje për unitet

Rama: Të gjithë aktorët politikë shqipfolës të jemi njëzëri

Kosova e Shqipëria me nismë të re.

Rama: Të gjithë aktorët politikë shqipfolës të jemi njëzëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se të gjithë faktorë politik shqiptarë nëpër të gjitha trevat ku ka shqiptarë duhet të jenë të përbashkuar dhe të flasin me një zë, njofton Insajderi.

Në një konferencë për media, bashkë me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, që po vizion Shqipërinë në një vizitë zyrtare, Rama foli përsëri për aktakuzën e Gjykatës Speciale, kundër presidentit Hashim Thaçi.

“Dëshiroj të ri-nënvizoj atë që u përpoqa të përcjell qoftë në kuvendin e Shqipërisë lidhur me situatën e krijuar nga shpallja publike e fletërrufesë në adresë të presidentit të Kosovës duke theksuar që ajo fletërrufe duhet të përbëjë një motiv shumë të fortë nxitës për të gjithë aktorët dhe faktorët politik shqipfolës, qofshin këta në Kosovë a Shqipëri, Maqedoni a kudo për të qenë të njëzëshëm në raport me domosdoshmërinë që drejtësia të jetë e drejtë”, pohoi Rama.

Ai gjithashtu ka treguar edhe se do të fillojë një nismë e re në mes të Kosovës e Shqipërisë.

“Një Kongres Tradicional ku kryetarët e komunave së bashku me skuadrat e tyre të mund të ndajnë praktikat e tyre të mira, sfidat e përbashkëta në realizimin e projekteve dhe patjetër edhe potencialin e nismave të përbashkëta në fushën e mirëqeverisjes”./Insajderi.com