Komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, ka deklaruar se kjo forcë është në fund të përmbylljes së fazës së parë të procesit të transformimit në ushtri, njofton Insajderi.
Në një intervistë për Klan Kosovën, Rama tha se gjatë vitit të ardhshëm do të fillojë faza e dytë e cila është më kompleske.
“Faza e parë do të mbyllet në fillim të vitit të ardhshëm dhe do të fillojë faza e dytë që është më komplekse. Kemi një plan gjithëpërfshirës të tranzicionit”, është shprehur Rama.
Ai tutje tregoi edhe se pse plani i transformimit do të marrë kohë një dekadë.
“Kemi pasë pyetje pse e kemi bërë planin dhjetëvjeçar. Bazuar në rekomandimet që kanë ardhur, një prej elementeve kanë qenë implikimet buxhetore ose kostoja që e ka ndërtimi i një force të armatosur për t’i kryer të gjitha obligimet”, tha ai.
“Plani ka qenë afatgjatë që të mos bëhemi barrë e institucioneve të Kosovës. Nëse krahasojmë dy vitet ku jemi, normalisht që sikur mos ta kishim përkrahjen e institucioneve nuk do të ishim këtu ku jemi sot”, deklaroi Rama. /Insajderi.com