Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është mirëpritur sot në Shkup nga homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, njofton Insajderi.
Në një konferencë të përbashkët për media pas takimit të zhvilluar midis tyre, Zaev tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë marrëdhënie të mira fqinjësore që duhet të vazhdojnë në kultivimin edhe të mëtejshëm të tyre.
Mirëpo, Zaev u shpreh se bashkëpunimi duhet të avancohet edhe me bashkëpunim më të gjerë rajonal.
Për këtë kryeministri maqedonas, Rama dhe presidenti Vuçiq do të takohen të premten e ardhshme për t’i dërguar një ftesë Kosovës për Mini-Shengen.
“Në vendin tim thuhet se fqinjët nuk i zgjedhim, por ata janë të parët të dalin në ndihmë. Mu për këtë presim që Kosova t’i bashkëngjitet bashkëpunimit rajonal që e udhëheqin Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria, me qëllim që karakteri i saj inkluziv të jetë prioritar për rajonin pa dallim të çështjeve të hapura politike”.
“Kjo do t’i ndihmojë fillimisht qytetarëve për implementimin e katër lirive në Ballkanin Perëndimor siç janë në shtetet e BE-së”, ka thënë ai. /Insajderi.com