Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka vendosur që të marrë mandatin e deputetit në Qarkun e Durrësit, shkruan Insajderi.
Sot, përmes një letre drejtuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, kreu i PS ka zgjedhur që në Parlamentin e ri që do të konstituohet në shtator, të marrë mandatin në Qarkun e Durrësit.
Përmes një reagimi në ‘Twitter’, kryeministri Rama e lidh këtë vendim të tij me zhvillimin që Durrësi duhet të marrë gjatë mandatit të tretë qeverisës së PS-së.
“Vlora ishte, është dhe do jetë deri në fund në zemrën time, kështu që me mandat pa mandat, unë nga Vlora nuk ndahem as sot as mot, ndërkohë në mendjen time Durrësi është vendi ku Mandati i Tretë duhet të sjellë një hop të ri, jo vetëm për atë qytet po për krejt”, shkruan Rama.
PS në zgjedhjet e 25 prillit fitoi 8 mandate në Durrës dhe po aq dhe në Vlorë. Si vota preferenciale, në Durrës, Rama mori 15 871 vota. Ndërsa në Vlorë, vota preferenciale për të kryeministrin ishin 11 412.
Kreu i PS ka qenë deputet i Qarkut të Vlorës në dy mandate 2013-2017 dhe 2017-2021./Insajderi.com