Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, thotë se nuk ka lehtësim të masave anti-COVID në kohë të fushatës zgjedhore dhe pas shpalljes së zgjedhjeve të 14 shkurtit, transmeton Insajderi.
Siç thekson ai, masat janë të njëjta, por orari është zgjatur për një orë.
“Janë të njëjta. Orari është zgjatur për një orë, ai është një lehtësim në realitet i cili është bërë në kohën kur ka qenjë një rënie e lehtë e rasteve. Sepse ne kemi pasur në lakoren epidemiologjike rënie të rasteve. Me rënien e lakores, profesionistët shëndetësorë kanë marrë kritika se po bie lakorja e ku me ditë çka po bëjnë me këta numra. Me ngritjen e lakores Instituti dhe profesionistët kanë marrë kritika”, ka thënë Ramadani në “Kallxo Pernime”.
Ai tutje thotë se IKSHPK ka paralajmëruar se gjatë dimrit do të ketë rritje të rasteve me COVID-19.
“Ne kemi paralajmëruar se në sezonin e dimrit lakorja do ketë rritje të madhe, për shkak të sezonalitetit dhe për shkaktë rritjes në skenën epidemiologjike edhe të virusve të tjerë, në radhë të parë të gripit sezonal. Ka qenë një frikë tek të gjithë profesionistët shëndetësorë se do të ketë rritje të madhe dhe kjo rritje përkthehet që do të ketë mbingarkesë të institucioneve shëndetësore”, tha Ramadani. /Insajderi.com