Ramadani pret që vaksina anti-Covid të vijë deri në mars

Ramadani pret që vaksina anti-Covid të vijë deri në mars

Drejtori i Institutit Kombëtar për Shëndetësi, Naser Ramadani, ka thënë se deri në mars pret që të vijnë vaksinat kundër COVID-19 në Kosovë, por se kjo gjë varet edhe nga ndërkombëtarët, njofton Insajderi.

“Pritet deri në mars, por janë procedura që MSH-ja i ka kryer dhe po presim, varet nga relacionet me ndërkombëtarët”, ka thënë Ramadani i cili gjendej afër tendës së vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti” ku po testohen qytetarë për Coronavirus.

Ai tha se kjo formë e ngritjes së tendës në shesh për testim, është bërë për të ofruar shërbim më të qasshëm për qytetarët.

“Kjo formë është për t’i ofruar qytetarëve shërbime në një vend të rastësishëm dhe ky vend është sheshi, ku do shihet pasqyra epidemiologjike se ku është mbulesa më e madhe me COVID-19 në Kosovë”, shtoi Ramadani.

Ndërkaq, ka konfirmuar se shërbime të tilla do të jepen edhe gjatë vitit 2021 nëpër komuna të tjera.

“Ne do të vazhdojmë sepse po hyjmë në 2021 dhe duhet të mbulohet shërbimi për çdo qytetar. Ekipet tona janë në vazhdimësi për shërbim”, tha ai./Insajderi.com