Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani, ka thënë se vendi është i përgatitur për një valë të dytë ose tretë të pandemisë COVID-19, që sipas tij është paralajmëruar nga tetori, njofton Insajderi.
Ramadani gjatë një vizite në Shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë, ka folur për paralajmërimin e eksperteve shëndetësor për një valë të dytë të pandemisë COVID-19 nga vjeshta që sipas tij mund të jetë e rëndë për shkak se përveç virusit në sezonin e vjeshtës qarkullojnë disa lloje të gripave tjerë sezonal që mund të rëndojnë gjendjen shëndetësore të personave me sëmundje kronike dhe të moshuarve.
“Sipas shumë skenarëve, po përmendi vetëm dy që janë të sigurta, e para është qe mund të përzihen dy lloje të viruseve, virusi aktual pandemik COVID-19 dhe virusi tjetër i gripit, por në sezonin e vjeshtës ka një përzierje të viruseve të cilët edhe mund të përkeqësojnë gjendjen edhe ashtu të renduar të personave me sëmundje kronike dhe personave të moshuar”, ka thënë Ramadani.
Kreu i IKSHPK-së, ka thënë se nga dimri do të nis vaksinimi i popullatës në Kosovë për gripin sezonal dhe pret që shumë shpejt të dal vaksina edhe për COVID-19, ku siç ka thënë ai Kosova është ndër vendet me prioritet për vaksinim në rast të një vaksine.
“Ne Shpresojmë që në fillim të sezonit dimëror të vaksinohen së pari popullata e ndishme sipas indikacioneve epidemiologjike për gripin sezonal dhe së dyti së shpejti pritet të dal vaksina COVID-19 dhe Kosova është ndër vendet me prioritet që mund t’i ofrohet vaksina dhe ne kemi bërë planin për vaksinim të popullatës me vaksinën për COVID-19 së bashku me vaksinën e gripit sezonal”, ka thënë Ramandani. /Insajderi.com