Ramosaj: Situata në Deçan po shkon drejt normalizimit

Ramosaj: Situata në Deçan po shkon drejt normalizimit

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka njoftuar të shtunën se situate e krijuar ditëve të fundit në këtë komunë po shkon drejt normalizimit, përcjell Insajderi.

Ai këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, pas takimit që ka zhvilluar me Shtabin Emergjent për Menaxhimin e Emergjencave.

Ramosaj tutje ka thënë se në takim është nxjerrë konkluzion që së shpejti të përfundojë gjendja emergjente.

“Së shpejti qytetarët e 12 fshatrave të cilat furnizohen nga rezervuari në Drenoc do të vazhdojnë të furnizohen me ujë nga Komuna e Deçanit”, ka shkruar i pari i Deçanit në Facebook.

Ai është shprehur se akterët e kyqur në menaxhimin e kësaj emergjence do të vazhdojnë në implementimin e të gjitha rekomandimeve të dhëna nga IKSHPK-ja, të cilat kanë të bëjnë me standardizimin e infrastrukturës së ujësjellsit dhe furnizimin me ujë cilësor sipas parametrave të pranueshme.

Fundjavën e kaluar qindra qytetarë nga Deçani kanë kërkuar trajtim mjekësor me simptoma të helmimit. Ata dyshohet se janë helmuar nga uji i pijes. Në analizat e bëra, në ujin e Kompanisë “Hidrodrini” janë gjetur disa baktere./Insajderi.com