Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur jonjerëzor vendimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, për zbritjen e shtesave të pensionistëve, njofton Insajderi.
Në një postim në Facebook, Haradinaj është shprehur se po i duket e pabesueshme se si Qeveria merr një vendim të tillë, në kohë pandemie.
“S’po muj me besu që të hiqen 20 euro shtesa nga pensionet, në këtë kohë kaq të vështirë. Jonjerëzore!”, ka shkruar lideri i AAK-së.
Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, në mbledhjen e mbajtur sot (e mërkurë) ka marrë vendim për uljen e shtesave të pensioneve për 20 euro në krahasim me tre muajt e fundit.
Pensionistët në Kosovë për tre muaj rresht, me vendim të Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, kanë marrë 30 euro shtesë mbi pensionin bazë.
Por, tani e tutje përfituesit e skemës së pensioneve do të marrin vetëm 10 euro shtesa mbi pensionin bazë nën vlerën prej 100 eurove./Insajderi.com