Imer Hamiti, ish-kryesues i Komisionit të Auditimit në Ndëmarrjen Publike “Ibër-Lepenci” i është drejtuar me letër të hapur kryeministrit të vendit Ramush Haradinajt, pas shkakrimit javën e kaluar të bordit drejtues të kësaj ndërmarrjeje.
Hamiti e quan si absurd vendimin e qeverisë për shkarkimin e tyre. Sipas tij, vendimi është antiligjor, antikushtetues dhe i papresedan. Sipas tij, drejtorët e shkarkuar do të duhej të ishin model për të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike dhe jo të shkarkoheshin.
Kjo është letra e plotë e Imer Hamitit:
Letër e hapur Kryeministrit z. Ramush Haradinaj
Z.Kryeministër, javën e kaluar vendosët për shkarkimin selektiv të tre drejtorëve të Bordit (Kryesuesin e Bordit, kryesuesin e Komisionit të Auditimit, si dhe anëtarin e Komisionit të auditimit) si dhe ushtruesin e detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv (UD të KE) të ndërmarrjes publike NP “Ibër -Lepenci” SH.A, vendim ky sa absurd po ashtu skandaloz dhe tendencioz!
Absurd për faktin se bëtë shkarkimin selektiv të tre drejtorëve më të suksesshëm të Bordit, të cilët do të duhej të ishin model për të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike në Republikën e Kosovës, skandaloz për faktin se është vendim antiligjor, antikushtetues dhe rast i papresedan në historinë e ndërmarrjeve publike të bëhet shkarkimi i UD të KE nga ana e qeverisë si dhe tendencioz për faktin se shkarkimin selektiv e keni bërë me qëllim të pastrimit politik, gjegjësisht hapjes së rrugës së emërimit të preferuarit tuaj si Kruyshef Ekzekutiv të ndërmarrjes, proces ky qe ishte në fazën finale dhe i cili u ndërpre nga vendimi i juaj.
Ishte Drejtori i njësisë për monitorimin e ndërmarrjeve publike (njësi kjo në kuadër të MZHE-së) i cili loboi për një kandidat, duke u thirrur në emrin tuaj, në emrin e presidentit z.Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit z. Kadri Veseli, zv/kryeministrit z. Fatmir Limaj si dhe ministrit z.Valdrin Lluka, mandej lobimi vazhdoi nga ish-sekretari ekzekutiv i AAK-së po ashtu duke u thirrur në emrin tuaj me direktivë, citoj “Ramushi më ka thanë me kry punë” dhe në fund lobimi i deputetit (që deri në vitin e kaluar ishte Drejtor Bordi) tek Kryesusi i Bordit për të preferuarin e tij.
Kur përgjigjja e tre drejtorëve të Bordit ishte se do te mbështetet kandidati më profesional dhe më i suksesshëm në procesin intervistues, së pari ndodhi obstruksioni nga tre anëtarët e tjerë të Bordit në ditën e mbajtjes së intervistës dhe mandej ndëshkimi i paralajmëruar nga lobuesit në rast të mospërkrahjes së kandidatit të preferuar nga ju dhe akterët e lartshënuar.
Sa i përket propozim-vendimit të ministrit tuaj z.Lluka, ka vetëm një të vërtetë në lidhje me shpërblimin e ndarë për punonjësit e ndërmarrjes si dhe bonuset të cilat janë ndarë në bazë të performancës dhe afarizmit pozitiv të ndërmarrjes, duke u mbështetur në ligjin për ndërmarrjet publike dhe aktet tjera të cilat rregullojnë këtë fushë.
Përndryshe është dezinformim i opinionit se ndërmarrja ka operuar me humbje të imagjinuar nga ana e ministrit tuaj.
Ndërmarrja ka përmbyllur vitin me fitim operativ mbi 460000 (katërqind e gjashtëdhjetëmijë) euro, me shpërblimin e llogaritur dhe të pasqyruar në pasqyrat financiare të audituara nga auditori i jashtëm dhe në momentin e ndarjes së shpërblimit prej një page dhe bonuseve, ndërmarrja kishte në llogaritë bankare mbi 800000 (tetëqind mijë) euro pa asnjë obligim ndaj ndonjë partneri afaristë apo autoriteti fiskal.
Gjithashtu në saje të menaxhimit të mirë, përkundër se Penda e Ujmanit është në pjesën veriore, gjatë muajit mars, njëzetekatër orë pa ndërprerë është prodhuar energji elektrike nga HC në Ujman dhe është distribuuar në rrjetin energjetik të Kosovës që kjo nuk ka ndodhur asnjëherë që nga viti 1999.