Raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, s’duhet të jenë “me korrespodencë dhe me episode”, ka deklaruar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti kur duhet të sillet me përgjegjësi të larta shtetërore për të zbatuar zotimet e përbashkëta me Amerikën, “fut kokën në rërë dhe dërgon vendin në labirinthe me shumë të panjohura”.
Për marrëveshjen e nënshkruar një vit më parë nga ish-kryeministri Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë, të njohur si marrëveshja e Uashingtonit, Selmanaj ka thënë se “është në dobi për shtetin e Kosovës në shumë dimensione”.
“Në dimensionin ekonomik: investime infrastrukturore në rrugë, hekurudha, nxitje të investimeve amerikane për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, shumëfishimin e burimeve të energjisë përmes rrjetit të gaz sjellësit; Në dimensionin e fuqizimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtarë: njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, pas një periudhë të gjatë pa asnjë njohje për shtetin e Kosovës”.
“Në dimensionin e bashkëpunimit rajonal: Operacionalizimin e pikës së përbashkët kufitare në Merdare që lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve me theks të veçantë të bashkatdhetarëve tanë; bashkimi në iniciativa për bashkëpunim ekonomik rajonal; njohja e diplomave dhe qertifikatave profesionale etj. Rëndësi të veçantë kjo marrëveshje i kushton edhe çështjes tejet të ndjeshme të të pagjeturve ku te dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të zhdukur”, ka shkruar Selmanaj në profilin e tij në Facebook.
Sipas tij, sa ishte në detyrë Qeveria Hoti, “në të gjitha pikat e kësaj marrëveshje ka pas lëvizje dhe janë bërë hapa konkret për realizimin e saj”.
“E ku jemi sot pas viti?! Asnjë lëvizje dhe asnjë veprim të vetëm nga qeveria Kurti për ta zbatuar këtë marrëveshje! Kryeministri Kurti dhe partia e tij, në vazhdimësi kanë shprehur qëndrimet se nuk do e respektojnë dhe zbatojnë marrëveshjen e Ëashingtonit; se kjo marrëveshja na qenka kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik, se kjo marrëveshje paraqet “dëm, turp dhe rrezik për Kosovën”, se nuk ka vlerë juridike se nuk është sjellë për ratifikim në Kuvend, se mungon nënshkrimi i Presidentit Trump, se na u nda Kosova e na shkoj Ujmani?!”.