Raporti i progresit dhe tërheqja amerikane nga zgjedhja e prokurorëve – goditja e fundit për liberalizimin e vizave

Raporti i progresit dhe tërheqja amerikane nga zgjedhja e prokurorëve – goditja e fundit për liberalizimin e vizave

Raporti i Progresit i publikuar për Kosovën dhe tërheqja e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, nga monitorimi i zgjedhjes së prokurorëve të Prokurorive Themelore, po cilësohet si goditja e fundit që ka marrë Kosova sa i përket liberalizimit të vizave për këtë vit, njofton Insajderi.

Kështu po e vlerësojnë përfaqësuesit e shoqërisë civile në vend, të cilët thonë se veprimi i Ambasadës Amerikane është një lajm i keq dhe shpërfaqë atë që e  kanë thënë vazhdimisht për një sistem të drejtësisë të kapur në Kosovë.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se reagimi i Ambasadës Amerikane por edhe i BE-së, ka qenë kthesa e fundit kur ata nuk janë pajtuar me mënyrën se si Këshilli Porkurorial i Kosovës po udhëheq procesin e zgjedhjes së prokurorëve, duke shtuar se KPK-ja udhëhiqet nga njerëz jo-kredibil.

“Si institut i Kosovës për Drejtësi e kemi thënë dhe vazhdojmë ta themi se KPK që sot udhëhiqet nga njerëz që s’kanë kredibilitet e më të kaluar të dyshimtë e të cilit janë përgjegjësit kryesorë që në Kosovë në pesë vitet e fundit kanë shënuar regres në luftën e krimit të organizuar,  korrupsionit dhe llogaridhënës.

“Goditja kryesore ka qenë Raporti i Progresit, nëse lexohet me kujdes e ka shpërfaqur edhe njëherë atë që ne kemi thënë vazhdimisht se ka mungesë të theksuar në luftën e krimit, korrupsionit, sistem të politizuar dhe atë se Kosova nuk ka marrë hapa për të përmbushur obligimet që dalin në MSA dhe e fundit ishte kjo tërheqja e ambasadës amerikane, e cila në një farë mënyre ja dha vulën se diçka duhet të ndodh e madhe në mënyrë që përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë ti kthehen normalitetit, legjitimitetit dhe nëse kjo nuk ndodh  atëherë do të jetë edhe një vit i humbur, fatkeqësisht viti 2020 është vit i humbur për Kosovën, sepse nuk jemi as në agjendë për liberalizim të vizave”, ka thënë Miftaraj për EO.

Ai vlerëson se nëse nuk ndërrohet qasja edhe vitet 2021 -22 do të jetë të humbur, pa viza pa integrim në BE, me mirëqenie të ulët dhe shpresa e vetme për të rinjtë për një jetë më të mirë do të jetë jashtë kufijve të Kosovës.

Lidhur më tërheqjen e ambasadës amerikane kishte reaguar edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke u zotuar se zgjedhja e prokurorëve do të bëhet në bazë të ligjit.

Por, sipas Genc Nimonit nga organizata “Çohu”, një gjë e tillë nuk beson që do të ndodhë.

“Ishte absurde dhe nuk kam besim se ky proces do të jetë i mirë kredibil dhe gjithashtu i bazuar në kriteret më të mira të rekrutimit të prokurorive përkatëse. Ambasada amerikane vërtetoi atë që ne si shoqëri civile për një kohë të gjatë e avokojmë. Edhe Raporti i Progresit e thotë qartë që sistemi i drejtësisë në Kosovë, ka raste që është i  ndikuar politikisht”, ka thënë ai. /Insajderi.com