Raporti i Progresit tregon dështimin e madh të Kuvendit  që mund ta pengojë liberalizimin e vizave

Raporti i Progresit tregon dështimin e madh të Kuvendit  që mund ta pengojë liberalizimin e vizave

Komisioni Evropian ka publikuar sot Raportin e Progresit të Kosovës për vitin 2017, ku mes tjerash potencohen disa nga ngecjet e Kosovës në lidhje me kërkesat e Komisionit Evropian, shkruan Insajderi.

Për të arritur tek liberalizimi i vizave,sipas këtij raporti, Kosova duhet të punojë në emërimin e pavarur të agjencive kosovare në baza meritore dhe në kohën e duhur.

“Kuvendit i mungon fuqia dhe kapacitetet për t’i mbikëqyrur në mënyrë efektive agjencitë dhe organet që i raportojnë drejtpërdrejt asaj. Qeveria dhe Kuvendi duhet t’i zbatoj rekomandimet që dalin nga shqyrtimi i agjencive të pavarura për të cilat është kryer për të racionalizuar numrin e agjencive që i raportojnë Kuvendit”.

“Kuvendi ka dështuar të emërojë, në kohën e duhur ose në bazë të meritës, anëtarët e bordit profesional për disa institucionet e pavarura”, thuhet në Raportin e Progresit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar muaj më parë, Bordin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit, për të emëruar më pas Bordin e ri.

Insajderi kishte raportuar për këtë çështje ku Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë, kishte kërkuar nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, sqarime për shkarkimin e bordit.

MASHT, ishte përgjigjur se shkarkimi i këtij bordi kishte ardhur pas urdhrit të kryeministrit Haradinaj. Ai më pas gjatë seancave të Kuvendi të Kosovës, kishte ofenduar Blerim  Rexhën, ish-kryetarin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ku e kishte quajtur hajdut ordiner./Insajderi.com