Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, vlerëson se zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 14 shkurt janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta, megjithatë përjashtim në këtë kualifikim përbëjnë komunat me shumicë serbe ku është evidentuar dhe konfirmuar votimi i orkestruar për dy subjekte politike nga radhët e komuniteteve, transmeton Insajderi.
Në raportin përfundimtar të zgjedhjeve të publikuar sot nga DnV, përfshihet raporti vëzhgimin e zgjedhjeve, raporti për monitorimin e fushatës zgjedhore dhe ai për monitorimit e mediave.
Eugen Cakolli nga DnV u shpreh se procesi i numërimit të votave, e në veçanti atyre të kandidatëve të subjekteve politike vijon të mbetet një prej problematikave kryesore të proceseve zgjedhore në Kosovë, raporton KP.
Ai tha se implikimi i personave të dyshuar në vepra penale të falsifikimit dhe të manipulimit të rezultateve zgjedhore që është dëshmuar edhe përmes publikimit të një audio dhe video incizimi e ka zbehur ndjeshëm kredibilitetin e këtij procesi.
“Puna e KQZ ka qenë transparente, por ajo çfarë është atipike për këtë proces zgjedhor është polarizimi dhe përplasjet e skajshme që kanë karakterizuar në vazhdimësi punën e KQZ-së, në veçanti në mes anëtarëve të KQZ-së nga radhët e LVV-së dhe kryetares së KQZ-së. Po ashtu, puna dhe pavarësia e KQZ-së në këto zgjedhje janë karakterizuar nga ndërhyrje të cilat kanë ardhur nga akterë të jashtëm, në veçanti nga ushtruesja e detyrës asokohe të presidentit znj.Vjosa Osmani, e cila përmes deklarimeve të saj publike ka cenuar në një formë integritetin dhe pavarësinë e punës së KQZ-së”, ka thënë ai tutje. /Insajderi.com