Raporti i Progresit: Polarizimi politik pengoi kryerjen e reformave në disa fusha

Raporti i Progresit: Polarizimi politik pengoi kryerjen e reformave në disa fusha

Komisioni Evropian kërkon vullnet më të madh politik për të luftuar korrupsionin ndërsa nënvizon si shqetësim polarizimin në mes të qeverisë dhe partive opozitare.

Raporti i Progresit për vitin 2016 e gjen Kosovën me marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim në muajin prill.  Por, në vija të trasha, raporti thekson nevojën  e fuqizimit të mëtutjeshëm të sundimit të ligjit dhe reformat në ekonomi.

Sipas raportit, ky vit është përshkuar me sfida të brendshme të cilat kanë penguar kryerjen e reformave në një numër të fushave.

“Polarizimi në mes qeverisë dhe opozitës ka vazhduar.  Jeta normale parlamentare është penguar, përfshirë këtu përmes përdorimit të masave të dhunshme nga deputetë të opozitës. Të gjitha partitë duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv, me parlamentin si vendi kyç për zhvillimin e debatit politik,” thuhet në raport.

“Ndasitë rreth çështjeve si demarkacioni me Malin e Zi dhe dialogu me Serbinë e kanë dominuar agjendën politike të vendit, duke çuar kështu në ngërçe të zgjatura politike.”

Por, raporti e vlerëson si pozitive rikthimin e opozitës në seancat e Kuvendit të Kosovës dhe emërimin e udhëheqësve të agjencive të pavarura.

“Sidoqoftë, emërimet kanë qenë shpesh të ndikuara politikisht,” thuhet në raport.  “Emërimet duhet të bëhen në bazë të meritave dhe me procedura më transparente të përzgjedhjes.”

Raporti vlerëson po ashtu si shqetësim vazhdimin e politizimit të administratës publike.

Komisioni Evropian vlerëson se përkundër “rrethanave të vështira” marrëdhënia mes Kosovës dhe BE-së është forcuar.  Në këtë kontekst, përveç MSA-së, raporti vlerëson edhe rekomandimin e komisionit për heqjen e vizave.

Raporti e sheh si pozitive faktin që situata në veri ka mbetur përgjithësisht e qetë dhe përmirësimin e komunikimit mes kryetarëve të komunave veriore me institucionet qendrore.

Vlerësohet po ashtu edhe përmbushja e obligimeve për krijimin e Dhomave të Posaçme për të trajtuar krimet e mundshme gjatë dhe pas vitit 1999 si dhe zgjatja e mandatit të EULEX-it.

Në raport thuhet se Kosova ka shfaqur përkushtim për marrëdhënie bilaterale me shtete ndërsa “ka vazhduar thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë.”

“Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Kosova ka qenë e përkushtuar për të implementuar marrëveshjet e arritura.  Progresi ka qenë i kufizuar, por kjo edhe për shkak të zgjedhjeve në Serbi dhe situatës së brendshme në Kosovë.  Sidoqoftë, momentumi është rikthyer në gusht kur është filluar puna në urën në Mitrovicë,” thuhet në raport.

Edhe raporti i këtij viti paraqet si shqetësuese sundimin e rendit dhe ligjit.  Gjyqësori vazhdon të jetë i prekshëm ndaj ndikimit politik dhe se institucionet e sundimit të ligjit ballafaqohen me mungesë të fondeve dhe resurseve humane, thuhet në raport.

Kosova është në një fazë fillestare në luftën kundër korrupsionit por gjatë këtij viti ka forcuar kapacitetet institucionale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe kjo ka bërë “që të shtohet numri i rasteve të profilit të lartë që janë hetuar dhe ndjekur.”

“Sidoqoftë, korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur në shumë fusha dhe vazhdon të jetë problem serioz.  Një vendosmëri më e fortë politike nevojitet për të luftuar atë,” thuhet në raport.

Sa i përket krimit të organizuar, “numri i rasteve të hetuar dhe i personave të dënuar mbetet i ulët.”/Insajderi.com