Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar sot një raport për pastrimin e parave dhe kultivimin e narkotikëve, ku e cilëson Shqipërinë, si portën kryesore të shpërndarjes së heroinës në të gjithë Evropën.
“Shqipëria prodhon dhe eksporton sasi të konsiderueshme të marijuanës, duke qenë një vend burimi për të dhe një vend tranziti për kokainën dhe heroinën afgane”, thuhet në raportin e DASH.
Në vitin 2016, në vend është raportuar rritje e kultivimit të kanabisit, ndërsa autoritetet kanë raportuar gjithashtu, rritje të arrestimeve dhe shkatërrime të plantacioneve të mbjella me kanabis.
Gjithashtu, DASH thekson se vendi ynë mbetet në rrezik të konsiderueshëm për pastrimin e parave.
“Të ardhurat e paligjshme, në Shqipëri pastrohen lehtë, pasi vendi ka një treg të zi të konsiderueshëm për mallra kontrabandë”, thuhet në raport.
Kontrollet e dobëta kufitare dhe doganore në Shqipëri, janë faktor lehtësues për kontrabandën në vend.
Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se në Shqipëri ka korrupsion të shfrenuar dhe institucione të dobëta ligjore dhe qeveritare.
Gjithashtu në raport thuhet se vendi ynë shërben si bazë e operacioneve për organizatat rajonale të krimit të organizuar./TCH