Raportohet se u përplas me djalin e Fatmir Sejdiut – flet Bajram Gecaj

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Bajram Gecaj ka thënë se nuk është përplasur verbalisht me Bardhyl Sejdiun, djalin e ish-kryetarit Fatmir Sejdiu, gjatë një tubimi të Degës së dytë të LDK-së në Prishtinë.

Mediet raportuan sot se Dega e dytë e LDK-së, që përfshin zonë e qytetit të vjetër në Prishtinë, ka pasur tensione gjatë tentimit për të mbajtur kuvendin zgjedhor të një nëndege të saj të enjten. Është raportuar për përplasje mes Gecajt dhe Sejdiut.

Mirëpo, në një prononcim për Insajderin, Bajram Gecaj ka thënë se nuk ka pasur përplasje. Ai ka thënë se mbledhja nuk është mbajtur shkaku i numrit të madh të delegatëve prezentë në tubim.

“Nuk ka pasur përplasje mes meje dhe tij hiç, por problemi ka qenë se ka pasur numër jashtëzakonisht të madh të delegatëve. Kjo ka ndodhur shkaku i interesimit. Interesimi ka qenë shumë i madh; kanë ardhur shumë të rinj”, ka thënë Gecaj për Insajderin.

Gecaj ka treguar se mbledhja nuk ka mundur të vazhdonte për shkak të mungesës së kushteve teknike.

“Ka qenë edhe djali i presidentit Sejdiu, por nuk ka pasur kurrfarë përplasje. Unë kam marrëdhënie jashtëzakonisht të mira me z. Sejdiu. Gjithmonë kam pasur marrëdhënie të mira”, ka thënë Gecaj. /Insajderi.com