Kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, thotë se nuk do të largohet nga politika ndonëse ka pasur momente në të cilat e ka menduar një gjë të tillë.
Në një konferencë për media ku ka folur për rastin e djeshëm në Llapnasellë të Graçanicës ku u sulmua djali i tij nga një grup personash, me mjete të forta, ai u pyet nëse do të jep dorëheqje nga politika pas këtij rasti.
Por, Rashiq tha se nuk do të ketë largim të tij nga politika.
“Kam pasur ditë të vështira kështu që dua të them se kam pasur dyshimet e mia, por nuk heq dorë nga politika”.
Ai tutje ka komentuar lidhur me rastin e djeshëm që ka ndodhur para shkollës, ku thotë se personat që e kanë sulmuar të birin e tij nuk kanë qenë nxënës të shkollës.
Rashiq shton se cilido që të jetë rezultati i hetimeve të organeve kompetente, ai do ta pranojë atë rezultat.
“Atë grup që ka qenë para shkollës nuk kanë qenë nxënës, kanë përfunduar shkollën para 4-5 vjetëve. Nuk bëjë predikime, por shumica prej tyre kanë qenë para shkollës me boksa hekuri, çekiça dhe thika. Kjo pyetje është për institucionet se çka po bëjnë ata atje. Sipas meje kjo është një organizim. Nuk e paragjykoj por jam i sigurt që ka prova të mjaftueshme që mund të përdorë policia dhe prokuroria që ta hulumtojë siç duhet. Cilido rezultat i hulumtimit të jetë unë do ta pranojë”, ka thënë Rashiq.
“Kanë shkuar në shkollë në vitin e katër në gjimnaz, dhe ka qenë i atakuar së bashku me shokët e tij nja një grup i cili ka sulmuar jo vetëm me duar por edhe me mjete tjera. Djali është sulmuar me shipkë metalike, boksa hekuri dhe janë shkaktuar prerje të buzëve, i janë thyer tre dhëmbë dhe kishte gjakderdhje të madhe. Ka dëshmitarë për të konfirmuar situatën reale. Ekziston dyshimi i imi se politikanët me deklarata të pamoralshme kanë ndikuar në acarimin e kësaj gjendje”, ka thënë ai. /Insajderi.com