Lista Serbe po përpiqet “të marrë” ulëset e rezervuara për komunitetet tjera pakicë në Kuvendin e Kosovës, transmeton Insajderi.
Kështu thotë Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresive (PDS), e cila po mbështet nismën qytetare të opozitës për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë në zgjedhjet e ardhshme.
Rashiq shton se këtë gjë Lista Serbe po e bën duke dhënë mbështetje subjekteve të caktuara politike të sapoformuara nga radhët e komuniteteve boshnjake, rome, ashkali dhe egjiptiane, si dhe gorane, raporton REL.
Ai këtë deklaratë e dha pasi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, më 15 janar deklaroi se kjo parti nuk do të luftojë vetëm për interesat e serbëve, por edhe për ato të komuniteteve tjera.
“Lista Serbe nuk do të luftojë vetëm për interesat e popullit serb, por Lista Serbe do të luftojë edhe për interesat e goranëve, boshnjakëve, romëve dhe të gjithë njerëzve tjerë që kanë qëllim të mirë”, kishte thënë Rakiq pasi që ka dorëzuar listën e kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 14 shkurt.
Nga gjithsej 120 ulëse në Kuvendin e Kosovës, 20 janë të rezervuara për komunitetet joshumicë – 10 prej tyre janë për komunitetin serb dhe 10 të tjera për komunitetet tjera pakicë që jetojnë në Kosovë.
Komunitetit boshnjak i takojnë 3 ulëse, komunitetit turk 2 ulëse, përfaqësuesve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nga një ulëse, si dhe një ulëse shtesë për njërën nga këto bashkësi, e cila fiton më së shumti vota. Një ulëse i takon komunitetit goran. /Insajderi.com