Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se janë identifikuar dy serbë të cilët shiheshin duke lëvizur në drejtim të Manastirit të Deçanit.
Pas fotografisë së publikuar në media, kanë lindur dyshime se “mund ta kenë infektuar ujin në Deçan”.
Si rezultat baktereve në lumë, diçka e konfirmuar nga Instituti i Shëndetësisë Publike – mbi 1.500 qytetarë nga Komuna e Deçanit kanë pasur simptoma të helmimit.
Hetimi i Prokurorisë ndaj dy serbëve është duke u bërë në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë.
“Ashtu që është bërë identifikimi i personave që shihen në ato fotografi dhe do të verifikohet nëse kanë lidhshmëri eventuale me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Po ashtu në njoftim thuhet se “janë arrestuar përgjegjësit për kamerat e sigurisë te Gryka e Deçanit, pasi që u vërtetua që kamerat ishin jo funksionale tash e dy muaj në këtë zone”.
Më 11 korrik dolën rastet e para të dyshimeve për helmimin në Deçan.
Atë komunë e kanë vizituar zyrtarë të lartë shtetërorë, si dhe janë dërguar kontingjente barnash. /Insajderi.com