Rasti i dytë i koronavirusit në Kroaci

Është infektuar edhe vëllai i djalit i cili ishte në Itali për të parë ndeshjen e Milanit, ndërsa e dashura e tij rezultoi se është negative.

Rasti i dytë i koronavirusit në Kroaci

Ministri i shëndetësisë i Kroacisë Vili Berosh ka thënë në konferencën e Komandës së Mbrojtjes Civile se e kanë edhe një pacient pozitiv në koronavirus. Të gjithë të tjerët të testuar janë negativë.

Ai ka konfirmuar edhe rastin e dytë të koronavirusit në Kroaci. Është infektuar edhe vëllai i të riut i cili dje ka dalë pozitiv në testim.

“Analiza e të dashurës së tij, e cila gjithashtu është kontrolluar është negative dhe ajo nuk është e infektuar me koronavirus. Mirëpo, ajo mbetet në izolim dhe gjatë ditës përsëri do të testohet”.

Ai ka thënë se në dallim prej Italisë, në Kroaci duhen të jenë të kënaqur me situatën momentale.

“Situata është se përveç njërit i cili është konfirmuar me  koronavirus e kemi edhe një tjetër. Të gjithë të tjerët për momentin janë negativë. Pas përfundimit të fazës së parë të mbrojtjes nga rreziku, tani hyjmë në fazën e dytë ku sistemi shëndetësor e merr rolin e rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit. Kapacitetet tona të rezervave janë të rëndësishme”.

“Duhet theksuar se kjo sëmundje nuk paraqet rrezik të rëndë, kjo sëmundje është në nivelin e gripit të zakonshëm. Mbi 80 për qind të sëmurëve kanë formë të lehtë të sëmundjes dhe shpresojmë se edhe këto dy raste të konfirmuara në Kroaci do të jenë të tilla”, ka deklaruar ministri kroat Berosh./Insajderi.com.