Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas dyshimeve se një 18 vjeçare “është vrarë”, nga dy persona njëri prej të cilëve është arrestuar.
Të dielën është raportuar së një vajzë është dërguar e vdekur në Spitalin Rajonal të Ferizajt, nga disa persona të cilët janë larguar më pas.
Por, Policia i ka identifikuar ata, njërin prej tyre edhe e ka arrestuar.
“Dhuna e këtyre përmasave është alarm që duhet të mobilizojë institucionet e policisë, prokurorisë dhe gjykatave, t’i trajtojnë me prioritet e me seriozitetin maksimal rastet e dhunimit, kurse dhunuesit të vihen përballë drejtësisë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ajo ka thënë gjithashtu se “është e domosdoshme të veprojmë, pa vonesa, e me përkushtim maksimal”.
“Cenimi i lirisë, qoftë përmes ngacmimeve seksuale, shantazheve e deri te dhuna ndaj grave apo kujtdo tjetër, është e papranueshme dhe si e tillë duhet të trajtohet, pa kompromis ndaj dhunës, e me dënimin e merituar ndaj dhunuesve”, vazhdoi Haxhiu.
E para e Drejtësisë po ashtu tha se “dhuna nuk duhet të normalizohet”.
Rasti po vazhdon të jetë në hetime. /Insajderi.com