Rasti “Thesari” – 600 mijë euro të bllokuara dhe katër vetura të sekuestruara

Rasti “Thesari” – 600 mijë euro të bllokuara dhe katër vetura të sekuestruara

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka bërë të ditur se për vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, deri tani janë bllokuar 600 mijë euro si dhe janë sekuestruar katër vetura, vlera e të cilave është rreth 100 mijë euro, njofton Insajderi.

Përmes një komunikate për medie, nga kjo prokurori kanë thënë se janë ngrirë 34 llogari bankare të bizneseve në të cilat janë transferuar të hollat nga i pandehuri K.Sh, pronar i (LDA Group Sh.p,k).

Gjithashtu është bërë kërkesa te autoritetet e Turqisë, lidhur me transferin prej 440 mijë eurove.

“Deri më tani lidhur me këtë rast janë arrestuar dy (2) persona të cilët gjenden në paraburgim për veprat penale ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimit’ nga neni 414 paragrafi 2 dhe 3 pika 3.4 në lidhje me paragrafin 1 të KPRK-ës dhe ‘Shpëlarja e parave’ nga neni 302 të KPRK-së, lidhur me veprën penale ‘Pastrimi i parave’ nga neni 56 i Ligjit nr. 05/L-096 për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit”, thuhet në komunikatën për medie.

Tutje, në njoftim bëhet e ditur se veprimet hetimore janë duke vazhduar./Insajderi.com